Kina njoftoi të martën se ka vendosur të ofrojë ndihma urgjente humanitare për Iranin, Jordaninë, Libanin dhe Irakun.
Pekini “mbetet i përkushtuar ndaj vizionit për ndërtimin e një komuniteti të përbashkët për njerëzimin dhe ndaj frymës humanitare”, u tha gazetarëve në kryeqytetin kinez zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian.
“Konflikti në vazhdim ka shkaktuar një katastrofë humanitare të dhimbshme për popujt e vendeve në rajon, përfshirë Iranin. Kina ndien thellësisht me njerëzit në vendet përkatëse dhe zemrat tona janë me ta”, tha Lin.
“Kina vendosi të ofrojë ndihmë urgjente humanitare për Iranin, Jordaninë, Libanin dhe Irakun, me shpresën për të lehtësuar vështirësitë humanitare me të cilat përballen njerëzit”, shtoi ai.
Javën e kaluar, Pekini njoftoi se Shoqata e Kryqit të Kuq të Kinës do të ofrojë 200 mijë dollarë ndihmë urgjente humanitare për Gjysmëhënën e Kuqe iraniane, për të “ngushëlluar” familjet e mbi 165 vajzave nxënëse që u vranë në një sulm ajror ndaj shkollës fillore Shajareh Tayyebeh në qytetin jugor iranian Minab më 28 shkurt, kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta.
Lin tha se Kina “do të vazhdojë të bëjë më të mirën e mundshme për të nxitur paqen, për të punuar për rivendosjen e shpejtë të paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të krizës humanitare”.
Përshkallëzimi i armiqësive në rajon ka vijuar që nga momenti kur Izraeli dhe ShBA-ja nisën sulmet ndaj Iranit, duke vrarë deri më tani rreth 1.300 persona, përfshirë edhe Udhëheqësin Suprem të atëhershëm, Ayatollah Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.

















