| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Afganistan, 400 të vrarë në sulmin pakistanez ndaj qendrës së rehabilitimit të varësisë nga droga
Islamabadi mohon sulmet ndaj civilëve, duke thënë se kishte synuar "instalime ushtarake dhe infrastrukturë mbështetëse të terroristëve".
Afganistan, 400 të vrarë në sulmin pakistanez ndaj qendrës së rehabilitimit të varësisë nga droga
Afganistan, 400 të vrarë në sulmin pakistanez ndaj qendrës së rehabilitimit të varësisë nga droga / Reuters
3 orë më parë

Të paktën 400 persona humbën jetën në një sulm ajror të Pakistanit ndaj një qendre për rehabilitimin e varësisë nga droga në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, të hënën, tha sot një zyrtar afgan, transmeton Anadolu.

"Ushtria pakistaneze kreu sulm ajror rreth orës 21:00 (koha lokale) në spitalin 'Omid' për Trajtimin e Varësisë, një institucion me 2.000 shtretër të dedikuar për trajtimin e varësisë nga droga", tha zëvendës zëdhënësi i Qeverisë afgane, Hamdullah Fitrat, në platformën sociale të kompanisë amerikane.

Ai shtoi se si pasojë e sulmit, pjesë të mëdha të spitalit janë shkatërruar dhe "ka shqetësime serioze për një numër të lartë viktimash". Rreth 250 të tjerë raportohet se janë plagosur ndërsa ekipet e shpëtimit aktualisht po operojnë në vendngjarje.

Më parë kishte raportime për sulme ajrore në Kabul. Administrata afgane akuzoi Pakistanin për shkelje të hapësirës ajrore të Afganistanit dhe bombardimin e qendrës së rehabilitimit.

Ministria e Informacionit të Pakistanit hodhi poshtë akuzën e Kabulit dhe tha se "Islamabadi synoi saktësisht instalime ushtarake dhe infrastrukturë mbështetëse të terroristëve, përfshirë magazinimin e pajisjeve teknike dhe municionit të talebanëve afganë dhe Fitna al-Khawarij në Kabul dhe provincën Nangarhar, të cilat po përdoren kundër civilëve të pafajshëm pakistanezë".

"Shpërthimi pas sulmit i municionit të magazinuar nga 'proxy'-i kryesor i terrorit gjithashtu i kundërvihet plotësisht pretendimit të rremë", shtoi deklarata.

Zëdhënësi i qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid dënoi atë që e quajti "një akt që shkel të gjitha parimet e pranuara dhe një krim kundër njerëzimit". Marrëdhëniet midis Afganistanit dhe Pakistanit janë përkeqësuar pas tensioneve në kufi muajin e kaluar, duke shkaktuar viktima dhe dëme pasurie.

Që nga fundi i shkurtit, përleshjet ndërkufitare kanë vrarë 107 persona në të dyja anët, përfshirë 13 ushtarë dhe pesë civilë në Pakistan, me një ushtar ende të zhdukur.

Sipas Kabulit, 13 ushtarë dhe 76 civilë janë vrarë në Afganistan. Ky numër nuk përfshin viktimat e reja që pretendohen nga autoritetet afgane. Sipas të dhënave të OKB-së, midis 26 shkurtit dhe 5 marsit janë raportuar 185 viktima civile, përfshirë 56 të vdekur nga zjarri indirekt dhe sulmet ajrore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë