| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, përkujtohet ngjarja tragjike e mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë
Kjo ngjarje tragjike u bë shkak i reagimeve të menjëhershme qytetare, të cilat shumë shpejt u shndërruan në protesta masive në gjithë vendin.
Kosovë, përkujtohet ngjarja tragjike e mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë
Kosovë, përkujtohet ngjarja tragjike e mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë / AA
3 orë më parë

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhelal Sveçla dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, kanë përkujtuar 22-vjetorin e ngjarjes tragjike të mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, një ngjarje që shënoi një ndër momentet më të rënda dhe që parapriu zhvillimet e njohura si trazirat e marsit 2004 në Kosovë.

Siç bëhet e ditur nga MPB-ja, ministri Sveçla dhe kryetari Peci kanë bërë sot homazhe pranë varreve të Egzon Deliut, Avni Veselit dhe Florent Veselit të cilët humbën jetën në lumin Ibër, në përpjekje për të ikur nga një grup të rinjsh të komunitetit serb që po i ndiqnin.

Kjo ngjarje tragjike u bë shkak i reagimeve të menjëhershme qytetare, të cilat shumë shpejt u shndërruan në protesta masive në të gjithë vendin.

Në mungesë të organizimit dhe kontrollit institucional të mjaftueshëm, këto protesta eskaluan në dhunë, duke kulmuar me trazirat e marsit 2004, të cilat përfshinë disa qytete të Kosovës ku humbën jetën gjithsej 20 persona, 12 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa qindra të tjerë u plagosën, përfshirë pjesëtarë të institucioneve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë shkatërrimin dhe dëmtimin e pronave private si dhe objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Sipas MPB-së, ngjarjet e marsit 2004 nxorën në pah sfidat e theksuara të asaj kohe në menaxhimin e situatave të krizës dhe ruajtjen e rendit publik, në një kontekst ku Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar dhe institucionet vendore ishin ende në fazë të konsolidimit ndërsa më shumë se dy dekada më pas, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë avancuar ndjeshëm kapacitetet e tyre në parandalimin dhe menaxhimin e situatave që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

"Kujtimi për Egzonin, Avniun dhe Florentin, si dhe për të gjithë ata që humbën jetën gjatë trazirave të marsit 2004, mbetet një obligim i përhershëm për të ndërtuar dhe ruajtur paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në vendin tonë", përfundon njoftimi i ministrisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë