Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu, ka pritur në një takim pune përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sllovenisë të shoqëruar nga përfaqësuesit e KFOR-it Slloven (CIMIC), me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile dhe ndërveprimit emergjent.
Siç njofton AME-së, gjatë këtij takimi u diskutua për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes nga zjarri, me fokus mundësitë e zhvillimit të projekteve në kuadër të iniciativës për “Sigurimin e Fondeve nga Bashkimi Evropian”, e cila po mbështetet nga ekspertë nga Sllovenia.
Përfaqësuesja e delegacionit nga Ministria e Mbrojtjes e Sllovenisë, Mateja Rokvic, drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë së Çështjeve të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Sllovenisë, shprehu gatishmërinë e plotë të shtetit slloven për të përkrahur iniciativën e filluar dhe njëherësh intensifikimin e hapave për ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe fatkeqësitë tjera.
Në këtë kontekst, janë paraqitur dy propozime fillestare nga AME-ja dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me qëllim forcimin e kapaciteteve trajnuese në fushën e mbrojtjes civile, përfshirë zhvillimin e një poligoni për trajnim praktik për zjarrfikësit dhe strukturat e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës.
AME-ja vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët nga Republika e Sllovenisë dhe KFOR-i Slloven, në funksion të rritjes së kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave në Republikën e Kosovës.



















