Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për aksidentin në një kantier ndërtimi në Austri, ku humbën jetën disa shqiptarë, duke shprehur ngushëllime për ngjarjen.
Në rrjetet sociale, MEPJ-ja shkruan se shpreh hidhërimin e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për ngjarjen tragjike të ndodhur së fundmi në Vjenë, "e cila mori katër jetë njerëzish dhe la një person të plagosur".
"Në këto momente të vështira, u qëndrojmë pranë me mendje dhe zemër familjeve të viktimave dhe i urojmë të lënduarit shërim të shpejtë dhe të plotë", thuhet në reagimin e ministrisë.
Raportohet se gjatë punimeve në një kantier ndërtimi në Austri skela u shemb dhe viktimat mbetën nën rrënoja.
Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, tre nga katër viktimat e këtij aksidenti në Austri janë shtetas të Kosovës.




















