Autoritetet kosovare të drejtësisë kanë shpallur fajtor dhe dënuar dy persona të akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Zoran Kostiq është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vjet burgim për krime lufte në Vushtrri, ndërsa Dragan Milloviq me 7 vjet për të njëjtën vepër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani "gjatë një aksioni të mirë-organizuar".
I akuzuari Dragan Miloviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në periudhën e luftës në Kosovë, bashkë me të tjerë me forcë i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë keqtrajtuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.
Prokuroria Speciale ka mirëpritur këtë vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe ka thënë se mbetet e përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.






















