Shqipëria është renditur e 9-ta në botë në fushën e sigurisë kibernetike, thonë të dhënat e fundit të National Cyber Security Index (NCSI).
Rezultati prej 92.5 pikësh tregon një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar një ngjitje nga vendi i 54-t në vitin 2023 dhe vendi i 15-të në vitin 2025, drejt një renditjeje ndër vendet më të avancuara në nivel global në këtë fushë.
Raportin në fjalë e shpërndau edhe kryeminstri i Shqipërisë Edi Rama, i cili theksoi se “Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale”.
Vlerësimi i NCSI-së bazohet në analizën e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e rreziqeve kibernetike, përfshirë kuadrin ligjor dhe politik, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve kibernetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, në fillim të këtij muaji, u raportua se Kuvendi i Shqipërisë ka qenë objekt i një sulmi kibernetik. Gjatë verifikimeve është hasur në fshirjen e një pjese të të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

















