TÜRKİYE
3 minuta leximi
Rusia mohon çdo kontakt të ri me Republikën e Türkiyes për luftën në Ukrainë
Zëdhënësi i Kremlinit thotë se dërgesat e mundshme të raketave amerikane Tomahawk për Ukrainën duhet të vlerësohen pas takimit të kësaj jave midis Trumpit dhe Zelenskyt.
Rusia mohon çdo kontakt të ri me Republikën e Türkiyes për luftën në Ukrainë
Rusia mohon çdo kontakt të ri me Republikën e Türkiyes për luftën në Ukrainë / AA
14 Tetor 2025

Rusia mohoi të martën se ka pasur kontakte të reja me Republikën e Türkiyes për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, pas deklaratës së presidentit amerikan se homologu i tij turk mund të luajë një rol në këtë drejtim.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, pas pjesëmarrjes në një samit paqeje për Gazën në Egjipt, u tha gazetarëve në bordin e Air Force One të hënën se Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mund të luajë një rol në përfundimin e luftës që nisi në shkurt të vitit 2022.

“Ai respektohet nga Rusia. Për Ukrainën nuk mund të them, por ai respektohet nga (presidenti rus Vlladimir) Putin,” tha Trump, duke iu referuar Erdoğanit.

“Jo, ende jo,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp në Moskë, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ka pasur kontakte të reja midis Moskës dhe Ankarasë lidhur me Ukrainën dhe nëse po shqyrtohet një takim tjetër në Türkiye.

“Por, e dini, Putini dhe Erdoğan mund të bien shumë shpejt dakord për të zhvilluar një bisedë telefonike. Por, deri më tani nuk ka asnjë shenjë për këtë,” shtoi Peskov.

Zëdhënësi gjithashtu tha se çështja e dërgesave të mundshme të raketave lundruese amerikane Tomahawk me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën duhet të vlerësohet pas takimit të planifikuar këtë javë midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai përsëriti se Moska e mirëpret angazhimin e Uashingtonit dhe përpjekjet e Trumpit për ta zgjidhur luftën në vazhdim dhe se është e gatshme për një “zgjidhje paqësore”, por theksoi se Rusia po vazhdon veprimet e saj ushtarake në Ukrainë “për shkak të mungesës së alternativave”.

Peskov tha gjithashtu se i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, është dëshmuar si një negociator “efektiv” në Lindjen e Mesme.

“Shpresojmë që talentet e tij të vazhdojnë të kontribuojnë në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit ukrainas,” shtoi ai.

Më herët këtë muaj, Trump deklaroi se ishte afër vendimit për të dërguar raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, të cilat Zelenskyy tha se i kishte kërkuar në fund të shtatorit.

Putin ka shprehur shqetësim për mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk nga ShBA-ja në Ukrainë, duke paralajmëruar se kjo do të “shkatërronte” marrëdhëniet ShBA-Rusi dhe do të çonte në një “fazë krejtësisht të re të përshkallëzimit”.

Türkiye ka pritur takime të rëndësishme diplomatike midis Moskës dhe Kievit që nga javët e para të luftës në Ukrainë, përfshirë tri raunde bisedimesh paqeje të zhvilluara në Istanbul këtë vit, që rezultuan në shkëmbime të mëdha të të burgosurve dhe në memorandume draft për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Telefonata e fundit midis Putinit dhe Erdoğanit u zhvillua javën e kaluar, gjatë së cilës ky i fundit theksoi se iniciativat diplomatike duhet të marrin vrull për të siguruar një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme” dhe se Ankaraja do të vazhdojë përpjekjet e saj për paqe, sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes.

Të hënën, Zelensky u tha gazetarëve se do të takohet me Trump në Uashington, DC, të premten, ku mbrojtja ajrore dhe aftësitë me rreze të gjatë veprimi do të jenë temat kryesore të agjendës së vizitës së tij.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë