Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk ndien që Bashkimi Evropian (BE) po e vlerëson mjaftueshëm përparimin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun evropian.
Në një intervistë për median “Politico”, Osmani u shpreh se Kosova kurrë nuk ka “flirtuar” me forca dashakeqe si Kina, Rusia apo Irani, por gjithmonë ka qëndruar plotësisht në anën e vlerave proevropiane.
Megjithatë, ajo shtoi se procesi i integrimit për Kosovën ka mbetur i bllokuar.
Ajo theksoi se procesi i bazuar në merita, siç e ka shpallur BE-ja, nuk po funksionon për Kosovën.
“Nuk ndiejmë që kjo qasje proevropiane dhe fakti që jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së po vlerësohet apo shihet”, tha Osmani.
Sipas saj, qëndrimi i Kosovës merret si i mirëqenë, pa u shpërblyer për përkushtimin.
“Rreth 97 për qind e qytetarëve të Kosovës janë pro-evropianë. Reformat tona në ekonomi, në sundimin e ligjit, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë kyçe. Megjithatë, në rrugën tonë drejt integrimit evropian, jemi bllokuar. Procesi i bazuar në merita, për të cilin BE-ja flet shpesh, mbetet ende diçka e së ardhmes”, shtoi ajo.
E pyetur për rolin e Gjermanisë, Osmani shprehu optimizëm se Kosova ka një mundësi reale për të avancuar nëse Berlini merr drejtimin e procesit.
“Nëse Gjermania merr drejtimin, shpresoj se do të nxisë procesin e bazuar në merita, sepse Kosova nuk kërkon lëmoshë. Ne nuk kërkojmë rrugë të shkurtër, por respekt për punën dhe reformat tona. Po të merrej kjo në konsideratë, Kosova do të ishte vend udhëheqës”, tha ajo.
Osmani kujtoi se Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, por aplikimi ende nuk është marrë në shqyrtim.
“Tani jemi gati në dhjetor 2025 dhe aplikimi ynë ndodhet diku në sirtarët e BE-së, pa asnjë përparim”, theksoi ajo.
Në fund, presidentja Osmani nënvizoi se BE-ja nuk duhet ta shohë Kosovën si barrë, por si domosdoshmëri strategjike, duke paralajmëruar se një Ballkan Perëndimor i paqëndrueshëm dhe i pasigurt do të thotë një Evropë e paqëndrueshme dhe e pasigurt.























