Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në qytetin e Nju Jorkut gjatë valës së fortë të të ftohtit që përfshiu qytetin që nga fundi i muajit janar, ndërsa një viktimë shtesë është raportuar që nga e premtja, tha kryebashkiaku Zohran Mamdani.
“Që nga konferenca për shtyp e së premtes, një tjetër njujorkez ka humbur jetën në rrugët e qytetit tonë si pasojë e kësaj vale të ftohti. Numri i përgjithshëm i jetëve të humbura tani është 18”, u tha Mamdani gazetarëve të hënën. “Çdo jetë e humbur është tragjedi dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë familjet e tyre në mendimet tona”, shtoi ai.
Kryebashkiaku bëri të ditur se 1.400 persona janë strehuar në strehimore dhe hapësira të sigurta, ndërsa qyteti po përballej me temperatura ekstreme të ulëta.
“Këtë fundjavë pamë temperaturat më të ftohta dhe më të rrezikshme të dimrit. Deri tani, në qytetin tonë ka qenë më ftohtë se në disa pjesë të Antarktidës”, tha Mamdani.
Ai u bëri thirrje banorëve të marrin masa shtesë paraprake deri sa temperaturat të rriten, duke thënë: “Qëndroni të sigurt, qëndroni brenda dhe, ju lutem, Nju Jork, të vazhdojmë të kujdesemi për njëri-tjetrin”.
Gati 80 milionë njerëz përgjatë Bregut Lindor të ShBA-së u përballën me një shpërthim të fortë arktik këtë fundjavë, ndërsa mëngjesi i së dielës solli kushtet më të ftohta të sezonit.
Temperaturat në Nju Jork qëndruan nën zero për disa ditë, ndërsa Shërbimi Kombëtar Meteorologjik njoftoi se ato do të rriten gjatë kësaj jave.















