Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila qëndron për vizitë në Prishtinë, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Spiropali ka ndarë në rrjetet sociale një video të pritjes nga presidentja Osmani, duke vlerësuar angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me ShBA-në dhe vendet e BE-së.
Spiropali tha se ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës.
"Pas vendimit për heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE-ja të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do ta vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s", shkroi Spiropali.
Gjatë ditës kryediplomatja e Shqipërisë qëndroi për vizitë në Prekaz te familja Jashari dhe zhvilloi takim me homologun Konjufca dhe kryeministrin Kurti.

















