| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
Spiropali për dialogun Kosovë-Serbi: Mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme
Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërkohë është takuar me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, ku pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediet.
Spiropali për dialogun Kosovë-Serbi: Mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme
Spiropali për dialogun Kosovë-Serbi: Mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme / AA
16 orë më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme dhe për stabilitet afatgjatë në rajon.

Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërkohë është takuar me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ku pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediet.

Duke u ndalur te marrëdhëniet mes dy vendeve, Spiropali theksoi se “Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë”.

“Ne po forcojmë një bosht kombëtar dhe një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane, që kanë marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin dhe që ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen”, shtoi ajo.

Spiropali tha se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por është vijimësi i një rrugëtimi të përbashkët, të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar.

"Sa i përket dialogut me Serbinë qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: Dialogu mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme dhe për stabilitet afatgjatë në rajon. Por, stabiliteti nuk ndërtohet mbi mohimin e realitetit. Realitet është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe në rajonin tonë, të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet", tha kryediplomatja e Shqipërisë.

Spiropali theksoi se integrimi euroatlantik i Kosovës është element kyç i sigurisë rajonale dhe sipas saj prania e NATO-s dhe roli i KFOR-it mbeten faktor të pazëvendësueshëm stabiliteti "në një Evropë të trazuar nga lufta dhe tensionet gjeopolitike".

"Marrëveshja e përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një element i rëndësishëm jo vetëm për trajnime të përbashkëta e për sigurinë e përbashkët, por edhe për afrimin e Kosovës me strukturat e NATO-s. Mbajtja e samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë duhet të jetë një mundësi e shkëlqyer për afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike", tha Spiropali.

Duke folur për procesin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Hagë, ajo tha se: "Drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore dhe pa shkelke të të drejtave të njeriut".

Kryediplomatja e Shqipërisë tha ndër të tjera se ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të ketë një takim të përbashkët mes dy qeverive.

Konjufca: Sa më i fortë që të jetë koordinimi aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian

Konjufca u shpreh se diskutuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve të brendshme diplomatike.

"Jam i bindur se koordinimi ynë do ta fuqizojë përpjekjen e Kosovës për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës, edhe për afrimin tonë dhe anëtarësimin tonë drejt NATO-s dhe në organizata e tjera të rëndësishme ndërkombëtare. E ardhmja jonë ashtu si e kaluara jonë do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë që të jetë koordinimi ynë aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian", tha ai.

Konjufca theksoi se gjithnjë bashkëpunojnë drejt përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar.

"Unë e përgëzoj Republikën e Shqipërisë për këta hapa gjigantë që i ka bërë sa i përket integrimeve evropiane. Ne duam ta japim ashtu të njëjtin shembull si Republika e Shqipërisë", tha ai.

Spiropali do të pritet në takime të veçanta edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë