Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi sot në Konferencën Kundër Manipulimit dhe Ndërhyrjes së Informacionit të Huaj (FIMI) se demokracitë përballen jo vetëm me kërcënime fizike, por edhe me një "luftë njohëse" që synon formësimin e opinionit publik.
"Është e qartë se mjedisi i sigurisë po bëhet më intensiv kudo dhe nuk janë vetëm betejat që shohim në terren. Ne gjithashtu kemi luftën njohëse, luftën për zemrat dhe mendjet e njerëzve. Nga njëra anë, ajo zhvillohet me gënjeshtra, me narrativa të rreme, që në të vërtetë po dëmton demokracitë tona", tha Kallas.
Ajo theksoi nevojën për t'iu kundërvënë në mënyrë aktive luftës njohëse.
Kryediplomatja e BE-së theksoi se BE-ja duhet t'i mbajë konfidenciale mjetet e saj për ta luftuar dezinformimin, duke paralajmëruar se kundërshtarët që mësojnë rreth tyre mund të shfrytëzojnë dobësitë.
"Duhet të kemi parasysh se kjo mund të na bëjë më të dobët nëse kundërshtarët tanë e dinë, sepse ata më pas mund të përgatiten për t'i adresuar këto çështje ndryshe. Pra, ne duhet të përshtatemi vazhdimisht dhe të ndryshojmë kursin tonë", shpjegoi Kallas.
Më tej, ajo potencoi se blloku deri më tani ka qenë kryesisht reaktiv. "Ata sulmojnë. Ne përpiqemi të shmangim dhe të dalim atje. Gjithashtu duhet të përdorim më shumë masa sulmuese", tha Kallas.

















