Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret heqjen e masave të Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se ato kanë qenë të padrejta që nga dita e parë.
Kurti tha se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës ishin të padrejta sepse institucionet kosovare nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës në Veri.
"Institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Republikës së Kosovës", tha Kurti.
Ai tha se përkundrazi, Kosova dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit dhe tjetri në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Kurti theksoi se me gjithë masat e vendosura, Kosova nuk ka qenë e hidhëruar gjatë gjithë kësaj kohe me BE-në, por e përkushtuar drejt integrimit evropian. Ai tha se masat më të mëdha financiare Kosova nuk i ka vuajtur nga BE-ja, por nga opozita parlamentare.
"Përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Kosovës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i BE-së, në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë me mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej në mungesë të vullnetit dhe votës së opozitës", tha Kurti.
Ai shprehu shpresën që pas konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit "edhe opozita e tanishme t'ia heqë masat Kosovës".
- Më 17 dhjetor u hoqën të gjitha masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës
Të mërkurën më 17 dhjetor, në përmbyllje të Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se pas diskutimeve intensive me partnerët evropianë, është marrë vendimi që të gjitha masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të hiqen.
Ajo bëri të ditur se zbatimi i këtij vendimi do të ndodhë në dy faza kryesore; një pjesë e madhe e masave hiqet menjëherë, që do të lehtësojë situatën dhe do të çojë në zhbllokimin e një pjese të fondeve të bllokuara nga BE-ja.
Ndërsa, pjesa tjetër e masave do të hiqet në fund të janarit 2026, përfshirë edhe zhbllokimin përfundimtar të mjeteve financiare që ishin pezulluar.
BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën.





















