| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
SPAK-u kërkon heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku
Në një njoftim nga SPAK-u, thuhet se prokurori ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj zëvendëskryeministres Balluku.
SPAK-u kërkon heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku
SPAK-u kërkon heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku / Belinda Balluku | FB
16 orë më parë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe të Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.

Në një njoftim nga SPAK-u, thuhet se prokurori ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë "për arrestimin/heqjen e lirisë" ndaj zëvendëskryeministres Balluku, e cila është edhe deputete.

"Kjo shtetase (Balluku) është marrë në cilësinë e të pandehurit pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt "Ndërtimi i tunelit të Llogarasë". Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor", thotë SPAK-u.

Sipas prokurorisë, ajo akuzohet për të njëjtën vepër penale edhe në lidhje me procedurat për ndërtimin e segmenteve rrugore të Unazës së Madhe në Tiranë.

Në lidhje me kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan se do të përgatiten për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, sipas tij si forca udhëheqëse e vendit dhe e reformës në drejtësi.

"Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për ta arrestuar zv.kryeministren - me burg ose në shtëpi", ka shkruar Rama.

Çështja ndaj zv.kryeministres Balluku

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ka vendosur më 19 nëntor ta pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku.

Gjykata ka vendosur gjithashtu ndaj Ballukut edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit". Sipas autoriteteve, ajo akuzohet për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Çështja u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kundërshton pezullimin.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GjKKO-së deri në shqyrtimin e çështjes në fjalë, seancë që do të mbahet më 22 janar 2026.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë