Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e kanë përshëndetur vendimin e Komonuelthit të Bahamas për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti e cilësoi njohjen si një hap të rëndësishëm diplomatik, duke theksuar se Bahamas është shteti i katërt që e njeh Kosovën vetëm këtë vit. Ai shprehu pritshmëritë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e bashkëpunimit diplomatik, ekonomik dhe kulturor, duke falënderuar presidenten Vjosa Osmani dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë arritje.
Ndërkohë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bahameve për këtë vendim, duke e vlerësuar njohjen e Kosovës si një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajon.
Më herët, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se Bahamas e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe është nënshkruar marrëveshja për marrëdhënie diplomatike mes dy shteteve.
Osmani, e cila e quajti historik këtë njohje nga Bahamet, tha se njohja nga ky shtet është e 121-ta në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.
“Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahameve, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis”, njoftoi Osmani.






















