| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
ShBA-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia zbatim të Marrëveshjes së Ohrit
Dokumenti thekson se Ballkani Perëndimor mbetet në interesin strategjik të ShBA-së, duke kërkuar uljen e varësisë nga energjia ruse, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit si dhe përballjen me ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në rajon.
ShBA-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia zbatim të Marrëveshjes së Ohrit
ShBA-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia zbatim të Marrëveshjes së Ohrit / TRT Balkan
5 orë më parë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë riafirmuar mbështetjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar Marrëveshjen e Ohrit të arritur në shkurt 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) si një hap pozitiv drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar nga Kongresi dhe të nënshkruar më 18 dhjetor nga presidenti amerikan Donald Trump thuhet se Prishtina dhe Beogradi duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes ndërsa ShBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj një marrëveshjeje përfundimtare të bazuar në njohjen e ndërsjellë, pa ndryshime kufijsh sipas linjave etnike, raportojnë mediat lokale.

Dokumenti thekson se Ballkani Perëndimor mbetet në interesin strategjik të ShBA-së, duke kërkuar uljen e varësisë nga energjia ruse, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit si dhe përballjen me ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Akti shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë në Serbi pas zgjedhjeve të dhjetorit 2023 dhe riafirmon mbështetjen amerikane për integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për ruajtjen e mandatit të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë.

Dokumenti gjithashtu mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.

Marrëveshja Bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, së bashku me Aneksin e Zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të po atij viti, përbën kornizën kryesore politike për avancimin e dialogut mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje parasheh respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial, mosbllokimin e njëra-tjetrës në proceset e integrimit evropian, zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe ofron udhërrëfyes konkret për zbatimin e obligimeve, përfshirë çështjet e komuniteteve, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë