Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, të premten do të marrë pjesë në një takim që fokusohet mbi Gazën në Miami, ShBA, njoftoi ministria në një deklaratë.
“Ministri ynë do të marrë pjesë nesër (19 dhjetor) në takimin e fokusuar në Gaza në Miami, me zyrtarë pjesëmarrës nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari”, thuhet në deklaratë.
“Gjithashtu, do të zhvillohen diskutime mbi çështje të tjera rajonale”, shtoi ministria.
Më herët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Agjencisë Anadolu se i dërguari i posaçëm Steve Witkoff do të takohet me përfaqësues turq, katarias dhe egjiptianë për ta diskutuar fazën e ardhshme të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Takimi vjen gati dy muaj pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi. Faza e parë e marrëveshjes parashikonte ndalimin e luftimeve, tërheqje të pjesshme izraelite, shkëmbim pengjesh e të burgosurve dhe futjen e ndihmave të plota humanitare në enklavën palestineze.
Faza e dytë, siç parashikohet në planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, kërkon vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese (ISF), çarmatosjen e Hamasit, tërheqjen e plotë të Izraelit dhe formimin e një komiteti palestinez “teknokrat” për ta qeverisur përkohësisht Gazën.
Palestinezët e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit, i cili ndali luftën dyvjeçare që ka vrarë mbi 70 mijë njerëz, kryesisht gra e fëmijë dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë që prej tetorit 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 395 palestinezë janë vrarë dhe 1.088 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.



















