Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino Lopez ka deklaruar se vendi do ta mbrojë atdheun e tij "me çdo kusht", në reagim ndaj vendimit të qeverisë amerikane për të bllokuar të gjitha cisternat e naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Duke folur të mërkurën për kanalin televiziv shtetëror VTV, Padrino Lopez tha se forcat e armatosura kombëtare do të mbrojnë të gjitha të drejtat legjitime të Venezuelës në hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale, pa rënë në provokime.
"Po i referohem vendit në Amerikën e Veriut dhe presidentit të tij: ne do ta mbrojmë integritetin e atdheut me çdo kusht", tha ai. Padrino Lopez tha se urdhri për bllokimin e cisternave venezuelase të naftës përbën shkelje të qartë të Kartës së OKB-së.
"Për këtë arsye, këto veprime përbëjnë një akt agresioni të hapur dhe ne po ia shpallim këtë gjithë botës", tha ai.
"Organizatat ndërkombëtare shumëpalëshe duhet të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime përballë këtij qëndrimi irracional dhe luftënxitës, i cili vë në rrezik jo vetëm Venezuelën, por gjithë rajonin e Amerikës Latine dhe Karaibeve si dhe stabilitetin global energjetik", shtoi ai.
"Asnjë fuqi e huaj nuk do të marrë naftë falas apo të vjedhur"
Nënpresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, gjithashtu reagoi për këtë çështje në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, duke thënë se asnjë fuqi e huaj nuk do të marrë naftë falas apo të vjedhur.
Ajo theksoi se nafta e vendit i përket popullit venezuelas. "Ne do të vazhdojmë të jemi të lirë dhe të pavarur në marrëdhëniet tona energjetike. Së bashku me presidentin Nicolas Maduro, do të vazhdojmë ta mbrojmë atdheun", tha ajo.
Të martën, Trump njoftoi se ka urdhëruar një "bllokadë totale dhe të plotë" të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Venezuela akuzoi Uashingtonin për "pirateri" pasi një cisternë venezuelase e naftës u sekuestrua më 10 dhjetor pranë brigjeve të vendit dhe dërgoi një letër zyrtare për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

















