| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Në Mitrovicë u hap edhe ura e re për këmbësorë
Kryeministri Kurti vlerësoi se hapja e urës rrit lëvizjen dhe mobilitetin e qytetarëve në Mitrovicë, të cilën e cilësoi si një qytet me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës.
Në Mitrovicë u hap edhe ura e re për këmbësorë
Në Mitrovicë u hap edhe ura e re për këmbësorë / AA
8 orë më parë

Është hapur edhe ura e re për qarkullimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet Mitrovicës së Jugut, me shumicë shqiptare, dhe Mitrovicës së Veriut, me shumicë serbe.

Përurimi u bë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, si dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kryeministri Kurti vlerësoi se hapja e urës rrit lëvizjen dhe mobilitetin e qytetarëve në Mitrovicë, të cilën e cilësoi si një qytet me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës.

Sipas tij, ky projekt përfaqëson zhvillim dhe progres, duke theksuar se ura nuk ka përkatësi etnike, por shërben si lidhje funksionale mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit.

“Ne jemi këtu për t’i bashkuar njerëzit, për ta nxitur tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor. Kjo urë nuk është kundër askujt, por për të gjithë. Është urë për këmbësorë, jo për automjete, për njerëzit që lëvizin në këmbë”, u shpreh Kurti.

Hapja e urës përkon me nisjen e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të shpallura pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta sigurojë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në shkurt.

Nga ana tjetër, Durmishi rikujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim edhe një urë tjetër mbi lumin Ibër, e dedikuar për automjete. Ai theksoi se ura e re për këmbësorë përfaqëson jo vetëm një objekt funksional, por edhe një vepër me vlera artistike dhe arkitektonike.

Ndërtimi i dy urave krah asaj kryesore mbi lumin Ibër filloi më 1 korrik 2025.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë