| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja Osmani: Vendim historik në Bruksel, të gjitha masat kundër Kosovës do të hiqen
"Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të Samitit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pas diskutimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t'i hiqen Kosovës", tha Osmani.
Presidentja Osmani: Vendim historik në Bruksel, të gjitha masat kundër Kosovës do të hiqen
Presidentja Osmani: Vendim historik në Bruksel, të gjitha masat kundër Kosovës do të hiqen / Reuters
11 orë më parë

Në përmbyllje të Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se pas diskutimeve intensive me partnerët evropianë, është marrë vendimi që të gjitha masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të hiqen.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë nga Brukseli, Osmani theksoi rëndësinë e përfundimit të këtij procesi: "Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të Samitit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pas diskutimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t'i hiqen Kosovës", tha Osmani.

Ajo bëri të ditur se zbatimi i këtij vendimi do të ndodhë në dy faza kryesore. "Një pjesë e madhe e masave hiqet menjëherë, që do të lehtësojë situatën dhe do të çojë në zhbllokimin e një pjese të fondeve të bllokuara nga BE-ja. Ndërsa, pjesa tjetër e masave do të hiqet në fund të janarit 2026, duke përfshirë edhe zhbllokimin përfundimtar të mjeteve financiare që ishin pezulluar", tha presidentja e Kosovës.

Osmani shprehu besimin se ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit me BE-në dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ky zhvillim vjen pas muajsh bisedimesh dhe kërkesash nga autoritetet e Kosovës, të cilat kanë argumentuar se masa kundër vendit ishin të padrejta dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE-ja për heqjen e tyre.

BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë