| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi është një mundësi reale, duhet ta shfrytëzojmë
Samiti i ardhshëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në qershor të vitit 2026 në Mal të Zi.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi është një mundësi reale, duhet ta shfrytëzojmë
Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi është një mundësi reale, duhet ta shfrytëzojmë / AA
11 orë më parë

Pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Bruksel, deklarata e përbashkët e takimit deklaroi se samiti i sotëm shërben si “dëshmi e themeleve të forta” dhe rasti më i mirë për rikonfirmim të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Deklarata e përbashkët, që përmban 21 pika, u lëshua nga liderët e bllokut evropian dhe të vendeve anëtare, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor, por pa pjesëmarrjen e Serbisë, e cila siç thuhet, nuk u pajtua me deklaratën.

“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Unionin tonë. Zgjerimi është një mundësi realiste, të cilën duhet ta shfrytëzojmë”, theksohet në deklaratë.

Ndër çështjet e përmendura në deklaratën e përbashkët u theksua edhe “mungesa” e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, gjë që siç u tha, vazhdon t’i “pengojë” të dy vendet në rrugën e tyre drejt Evropës.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të vihen në zbatim, veçanërisht Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë po ashtu u theksua se çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët është bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke iu referuar këtu edhe Maqedonisë së Veriut për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë dhe Fqinjësinë e Mirë me Bullgarinë.

“Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin në rajon, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe problematikat rajonale dhe dypalëshe të partnerëve të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës”, bëri thirrje deklarata.

Më tej, në deklaratën e përbashkët gjithashtu u theksua agresioni rus ndaj Ukrainës dhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën, zgjerimi i bllokut u cilësua si investim gjeostrategjik në paqe, siguri dhe stabilitet, si dhe mbështetja e bllokut ndaj Ballkanit Perëndimor përballë kërcënime kibernetike, hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.

Po ashtu u njoftua se Plani i Rritjes pritet të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, me deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe u theksua se menaxhimi i migracionit, që sipas konkluzionit të samitit “mbetet sfidë e përbashkët” dhe kërkon “përafrim të politikave të vizave dhe forcim të kontrollit kufitar”.

“Theksojmë rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërsjella në komunikimin strategjik, duke përfshirë përfitimet nga zgjerimi dhe integrimi gradual, si dhe nevojën për ndërtimin e besimit, mirëkuptimit dhe konsensusit ndërshoqëror”, përfundoi deklarata e përbashkët.

Samiti i ardhshëm midis BE-së dhe Ballkani Perëndimor do të mbahet në qershor të vitit 2026 në Mal të Zi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë