Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar në paraburgim në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se e ka gjetur Thaçin në formë, të qetë dhe të buzeqeshur.
"Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës", ka shkruar mes të tjerash Rama.
Çështjen ndaj Thaçit, Rama e ka quajtur "padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike, me bekimin e shteteve të Evropës e të ShBA-së".
"Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Evropës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor", ka theksuar ndër të tjerash Rama.
Më herët në një komunikim në rrjetet sociale, Rama theksoi se uron dhe shpreson që viti i ardhshëm të jetë "viti i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtareve të tij".
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat i ngarkojnë ata me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998-1999.

















