| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kroacia blen sisteme kundër dronëve me vlerë 125 milionë euro
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë dhe kryetari i Bordit Drejtues të kompanisë “Konçar” kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë pesëvjeçare për zhvillimin dhe dorëzimin e sistemeve për mbrojtje nga mjetet ajrore pa pilot.
Kroacia blen sisteme kundër dronëve me vlerë 125 milionë euro
Kroacia blen sisteme kundër dronëve me vlerë 125 milionë euro / AA
12 orë më parë

Zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq, si dhe kryetari i Bordit Drejtues të “Konçar”-it, Gordan Kolak, nënshkruan një marrëveshje kornizë me vlerë 125 milionë euro për blerjen e sistemeve për kundërvënien ndaj mjeteve ajrore pa pilot (dronëve). Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Kroacisë do ta forcojnë mbrojtjen e infrastrukturës ushtarake dhe do t’u përgjigjen kërcënimeve gjithnjë e në rritje të sigurisë, ndërsa dorëzimi është planifikuar deri në vitin 2027.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë pesëvjeçare midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë dhe kompanisë Konçar Digital d.o.o., me të cilën nis një projekt zhvillimor shumëfazësh për pajisjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë me sisteme kundër dronëve, si përgjigje ndaj kërcënimeve në rritje të sigurisë dhe përdorimit gjithnjë e më intensiv të mjeteve ajrore pa pilot në operacionet moderne ushtarake”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

Vlera e marrëveshjes është 125 milionë euro pa TVSh, ndërsa dorëzimi i sistemeve parashihet në vitin 2027.

Në kuadër të projektit është planifikuar blerja e katër sistemeve kundër dronëve: dy sisteme stacionare të destinuara për mbrojtjen e infrastrukturës kritike ushtarake dhe dy sisteme mobile të integruara në mjete për nevojat e brigadës së këmbësorisë së mesme.

Anushiq shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme.

“Kompanitë vendase, dijet vendase dhe njerëzit vendas janë të përfshirë në zhvillimin e këtij projekti të madh, i cili pa dyshim është e ardhmja e sigurisë dhe e luftës ofensive”.

Ai tha se bëhet fjalë për katër sisteme të mëdha të mbrojtjes kundër dronëve që do të zhvillohen pikërisht nga kompani kroate: “Sistemi është i dëshmuar dhe i testuar, është cilësor dhe së shpejti infrastruktura jonë kritike ushtarake do të mbrohet me këtë sistem. Bëhet fjalë për një gjeneratë të re sistemesh mbrojtjeje që do t’i zbatojmë në infrastrukturën tonë kritike.”

Pajisja me sisteme kundër dronëve përbën një hap strategjik në zhvillimin e aftësive kombëtare të mbrojtjes dhe në forcimin e bazës industriale dhe teknologjike vendase. 

Blerja e sistemeve kundër dronëve është pjesë e procesit të vazhdueshëm të modernizimit të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe përshtatjes ndaj sfidave të reja të sigurisë në mjedisin rajonal dhe global.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë