Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shprehu të martën mosmiratimin e tij për sulmet ShBA–Izrael ndaj Iranit, duke theksuar se ato janë jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli vendosën të nisin operacione ushtarake. Ato u kryen jashtë kornizës së së drejtës ndërkombëtare, gjë që ne nuk mund ta miratojmë,” tha Macron gjatë një adresimi drejtuar kombit francez lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Ai përsëriti thirrjen e tij për ndalimin e të gjitha sulmeve ajrore dhe rifillimin e negociatave diplomatike për të arritur paqe afatgjatë.
Macron rikonfirmoi se është forcuar siguria e bazave ushtarake franceze në rajon, si dhe e ambasadave.
“Sigurisht, duhet të garantojmë sigurinë edhe në territorin tonë kombëtar. Me kërkesën time, qeveria ka forcuar sistemin ushtarak të mbrojtjes Sentinel dhe ka rritur vigjilencën rreth vendeve dhe individëve më të ekspozuar,” shtoi ai.
Macron theksoi gjithashtu nevojën për të qëndruar përkrah aleatëve të Francës dhe vendeve të rajonit “për të garantuar sigurinë dhe integritetin e tyre territorial”, duke kujtuar se Franca ka marrëveshje mbrojtjeje me Katarin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa është “e lidhur me angazhime të forta me Jordaninë dhe Irakun”.
“Reaguam menjëherë dhe, në vetëmbrojtje legjitime, rrëzuam dronë në orët e para të konfliktit për të mbrojtur hapësirën ajrore të aleatëve tanë, të cilët e dinë se mund të mbështeten tek ne,” tha Macron.
Ai theksoi se, përveç avionëve Rafale tashmë të vendosur, gjatë orëve të fundit janë dislokuar edhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe njësi radari ajror.
Ai konfirmoi gjithashtu vendimin për të dërguar mjete shtesë të mbrojtjes ajrore në Administratën Greko-Qipriote.
“Në orët e fundit, lufta është përhapur në Liban, nga ku Hezbollah ka kryer gabimin e madh duke goditur Izraelin dhe duke rrezikuar popullin libanez. Izraeli po shqyrton një operacion tokësor. Edhe kjo do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm dhe një gabim strategjik,” nënvizoi presidenti francez.
Ai i bëri thirrje Izraelit të respektojë territorin dhe integritetin e Libanit.
Macron njoftoi gjithashtu një nismë për krijimin e një koalicioni për të bashkuar burimet, “përfshirë ato ushtarake”, me qëllim rikthimin dhe sigurimin e trafikut në rrugët detare të tensionuara në të gjithë rajonin.
“Kam urdhëruar që aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle, së bashku me asetet e saj ajrore dhe fregatat shoqëruese, të drejtohet drejt Mesdheut,” konfirmoi ai.
Tensionet u përshkallëzuan në të gjithë Lindjen e Mesme kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit të shtunën, duke vrarë afro 800 persona, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe vendet e Gjirit, ku ndodhen asete amerikane.














