Kryeministrja italiane Giorgia Meloni të martën kritikoi vendimin gjyqësor që e ndalon politikanen e ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen të kandidojë për presidente në vitin 2027.
“Mendoj se askush që i intereson demokracia nuk mund të gëzohet për një vendim që prek lideren e një partie të madhe dhe u heq përfaqësimin miliona qytetarëve”, tha Meloni për të përditshmen italiane Il Messaggero, duke shtuar se nuk i di “arsyet e një vendimi kaq të ashpër.”
Le Pen, 56 vjeçe, një nga kandidatet kryesore për zgjedhjet presidenciale të 2027-ës, u ndalua nga mbajtja e funksioneve publike për pesë vjet pasi u dënua për shpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Gjykata gjithashtu e dënoi me katër vjet burg dhe një gjobë prej 100.000 eurosh (rreth 108.200 dollarë).
Vendimi ka shkaktuar kritika si brenda ashtu edhe jashtë Francës, duke përfshirë figura si zëvendëskryeministri italian i ekstremit të djathtë Matteo Salvini, miliarderi i teknologjisë Elon Musk, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dhe kryeministri hungarez Viktor Orban.
Le Pen e quajti vendimin një ‘’vendim politik.”
“Miliona francezë janë të indinjuar, të indinjuar në një shkallë të paimagjinueshme, duke parë që në Francë, vendi i të drejtave të njeriut, gjyqtarët kanë zbatuar praktika që mendoheshin të ishin të regjimeve autoritare”, tha ajo në një intervistë për televizionin TF1 të hënën.
Ajo premtoi se do ta apelojë vendimin dhe se do të mbetet aktive në politikë.
Le Pen dhe 24 anëtarë të partisë së saj Rassemblement National u shpallën fajtorë për devijimin e mbi 4 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian, të destinuara për asistentët e Parlamentit Evropian, për të paguar stafin e partisë.
“Le Pen nuk është viktimë e një komploti politik apo gjyqësor. Ajo është, ndoshta para së gjithash, viktimë e vetvetes dhe e një sistemi shpërdorimi fondesh”, tha Mathieu Lefevre, deputet i partisë Renaissance të presidentit Emmanuel Macron, për BFMTV.




















