| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
YTB-ja bashkon të rinjtë e Ballkanit në Kosovë
Të rinjtë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia ndanë përvojat e fituara gjatë aktiviteteve që kishin zhvilluar përgjatë vitit.
YTB-ja bashkon të rinjtë e Ballkanit në Kosovë
YTB-ja bashkon të rinjtë e Ballkanit në Kosovë/ AA / َAA
 

Presidenca për Türkiye Jashtë Vendit dhe Komunitetet e Afërta (YTB), në kuadër të Samitit të të Rinjve të Ballkanit, të organizuar në vitin e dhjetë të Shkollës së të Rinjve të Ballkanit, bashkoi rreth 400 të rinj nga tetë vende të Ballkanit me përfaqësues të shoqërisë civile nga Türkiye dhe rajoni. Në samitin e mbajtur në Prishtinë, kryetari i YTB-së, Abdulhadi Turus, bëri të ditur Programin e Bashkëpunimit të OJQ-ve Motra.

Në hapjen e samitit, të organizuar në kuadër të programit përmbyllës të Shkollës së të Rinjve të Ballkanit për vitin 2026, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fikrim Damka, si dhe ambasadori Babür Hızlan, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Republikës së Türkiyes në Prishtinë.

Të rinjtë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia ndanë përvojat e fituara gjatë aktiviteteve që kishin zhvilluar përgjatë vitit. Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile nga Türkiye dhe rajoni patën mundësinë të njihnin nga afër aktivitetet e njëri-tjetrit përmes stendave të shoqatave në hapësirën e samitit. Në takimin për vlerësim u diskutua për përvojën dhjetëvjeçare të Shkollës së të Rinjve të Ballkanit dhe objektivat për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Shkolla e të Rinjve të Ballkanit ka arritur rreth 3.500 të rinj në dhjetë vjet

Shkolla e të Rinjve të Ballkanit, e cila YTB-ja e zhvillon që nga viti 2016 në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në rajon, është program edukimi dhe kulturor i dedikuar të rinjve të moshës së shkollës së mesme dhe universitare. Të rinjtë, në programet që zgjasin nga 8 deri në 12 javë, marrin pjesë në seminare dhe punëtori artistike mbi historinë dhe trashëgiminë e përbashkët kulturore të Ballkanit. Pas përfundimit të trajnimeve, përmes udhëtimeve kulturore, ata kanë mundësi të njihen më nga afër me Türkiyen.

Në kuadër të Shkollës së të Rinjve të Ballkanit, e cila gjatë dhjetë viteve ka arritur rreth 3.500 të rinj, këtë vit janë realizuar 15 projekte në tetë vende, në bashkëpunim me 15 organizata të shoqërisë civile. Në këto projekte kanë marrë pjesë 621 të rinj.

“Edhe ne patëm mundësinë ta njohim veten sërish përmes syve të tyre”

Kryetari i YTB-së, Abdulhadi Turus, në hapjen e samitit shpjegoi qëllimin e themelimit të shkollës me këto fjalë:

“Dhjetë vjet më parë nisëm rrugëtimin me një ide të vogël. Dëshironim t’i bashkonim brezat e rinj të Ballkanit në gjeografinë e tyre, në qytetet e tyre, me organizatat lokale të shoqërisë civile që i njohin më së miri ato qytete”.

Duke folur për rëndësinë që udhëtimet në Türkiye i kanë dhënë këtyre takimeve, Turus tha: “Të rinjtë tanë gjatë atij udhëtimi i panë nga afër qytetet tona, sofrat tona dhe njerëzit tanë, ndërsa edhe ne patëm mundësinë ta njohim veten sërish përmes syve të tyre”.

Turus theksoi se disa prej të rinjve që në të kaluarën kishin marrë pjesë në program si studentë, sot janë vullnetarë në organizatat që zbatojnë Shkollën e të Rinjve të Ballkanit. Ai i ftoi të rinjtë e mbledhur në Prishtinë që të kontribuojnë në përcaktimin e drejtimit të dhjetëvjeçarit të ardhshëm të shkollës.

“Presim që propozimet, kritikat dhe ëndrrat tuaja t’i ndani me përfaqësuesit e organizatave zbatuese dhe me ne. Të dashur të rinj, faqet e reja të kësaj miqësie do t’i shkruani ju”, u shpreh Turus.

Programi i Bashkëpunimit të OJQ-ve Motra u prezantua në Prishtinë

Turus, në samit, prezantoi Programin e Bashkëpunimit të OJQ-ve Motra (KSİP). Përmes këtij programi synohet që organizatat e shoqërisë civile në Türkiye dhe organizatat në vendet ku jetojnë komunitetet e afërta dhe vëllezërit të ndajnë përvojat e tyre, të rinjtë t’i realizojnë idetë përmes projekteve të përbashkëta dhe bashkëpunimi të vazhdojë edhe pas përfundimit të projekteve.

Parashihet që në program të aplikojnë së bashku të paktën një organizatë nga Türkiye dhe një organizatë nga vendet ku jetojnë komunitetet e afërta dhe vëllezërit.

Organizatat do të mund të zhvillojnë projekte në fusha të ndryshme, si barazia e mundësive në arsim, sipërmarrja sociale, inteligjenca artificiale, alfabetizimi në të dhëna dhe të drejtat e njeriut. Aktivitetet e përbashkëta mund të realizohen në Türkiye ose në vendin ku ndodhet organizata partnere e projektit.