Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hedhur poshtë një projektrezolutë që synonte kufizimin e kompetencave të Presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit.
Projektrezoluta e propozuar nga demokratët u refuzua me 53 vota “kundër” dhe 47 “pro”.
“Nuk i dimë qëllimet e Donald Trumpit. Nuk e dimë afatin kohor të tij. Nuk e dimë as se si duket fitorja sipas tij”, tha para votimit kreu i Grupit Demokrat të Senatit, Chuck Schumer.
Senatori Rand Paul ishte i vetmi republikan që mbështeti masën, ndërsa senatori John Fetterman ishte i vetmi demokrat që votoi kundër saj. Ky votim shënoi përpjekjen e dytë të demokratëve për ta detyruar Kongresin të marrë një qëndrim mbi fushatën ushtarake të përbashkët ShBA-Izrael, e cila ka nisur në fund të muajit të kaluar dhe është pa afat të përcaktuar.
Rezoluta e vitit 1973 për kompetencat e luftës kërkon që presidenti amerikan të marrë miratimin e Kongresit përpara se të shpallë luftë ndaj një vendi dhe e detyron atë të njoftojë paraprakisht Kongresin për një hap të tillë.
ShBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë një ofensivë të përbashkët kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima e dëme në infrastrukturë dhe duke ndikuar tregjet globale e aviacionin.



















