Raportuesja speciale e OKB-së për territoret palestineze të pushtuara tha të hënën se Izraelit “i është dhënë në mënyrë efektive një licensë për t’i torturuar palestinezët”, teksa prezantoi një raport të ri në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.
Duke prezantuar raportin, Francesca Albanese tha se ai dokumenton “gjenocidin në vazhdim ndaj popullit palestinez”, duke theksuar “përdorimin e përhapur dhe sistematik të torturës nga Izraeli, së bashku me krijimin e një mjedisi torturues ndaj palestinezëve.”
Ajo akuzoi qeveritë se kanë mundësuar abuzimet, duke thënë se Izraelit “i është dhënë në mënyrë efektive një licensë për t’i torturuar palestinezët, sepse shumica e qeverive tuaja, ministrat tuaj, e kanë lejuar këtë”.
Sipas raportit, midis tetorit 2023 dhe janarit 2026, forcat izraelite kanë arrestuar më shumë se 18.500 palestinezë, përfshirë fëmijë, ndërsa afro 100 kanë vdekur në paraburgim dhe rreth 4.000 rezultojnë të zhdukur me forcë.
Mijëra të tjerë janë ndaluar pa akuza dhe mbahen në kushte çnjerëzore, thuhet në raport. Mes të ndaluarve ka pasur edhe mjekë, gazetarë dhe punonjës humanitarë.
Raportuesja theksoi se “që nga tetori 2023, tortura është bërë në mënyrë efektive politikë shtetërore”, duke përshkruar një sistem që është “i prodhuar shoqërisht, i mbrojtur politikisht dhe i normalizuar publikisht”.
Albanese paralajmëroi gjithashtu se një projektligj i propozuar në Izrael për vendosjen e dënimit me vdekje për të burgosurit palestinezë “shënon një tjetër përshkallëzim të rrezikshëm”, duke bërë thirrje për hetime ndaj zyrtarëve, përfshirë Itamar Ben-Gvir, Bezalel Smotrich dhe Israel Katz, si dhe për lëshimin e urdhërarresteve kur është e nevojshme.
Ajo theksoi se abuzimet shtrihen përtej qendrave të ndalimit, me raportin që përshkruan një “mjedis torturues” në gjithë territorin e pushtuar palestinez, përfshirë shkatërrimin e shtëpive, spitaleve dhe infrastrukturës, si dhe zhvendosjen me forcë.
“Dëshmitë që po dokumentojmë nuk janë vetëm histori tragjike vuajtjeje; ato janë prova të krimeve të rënda që synojnë të gjithë popullin palestinez në gjithë territorin e pushtuar”, tha ajo.
Ajo e përshkroi situatën me terma të ashpër, duke përfunduar se “gjenocidi është bërë forma përfundimtare e torturës: e vazhdueshme, ndërbreznore dhe kolektive.”
“Mënyra se si reagoni ndaj kësaj neverie do të jetë një provë e përgjegjësisë sonë ligjore dhe morale kolektive”, shtoi ajo.
Raportuesja paralajmëroi gjithashtu për pasoja më të gjera nëse shkeljet mbeten pa u ndëshkuar.
“Shkelja e së drejtës ndërkombëtare nuk do të ndalet në Palestinë… ajo mund ta përfshijë pjesën tjetër të botës më vonë. Ajo që humbet në Palestinë do të humbet për të gjithë ne”, theksoi ajo.




















