Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo njoftoi se Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit në lstanbul kishte në fokus avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e lidhshmërisë, zhvillimit ekonomik, sigurisë energjetike dhe integrimit evropian.
“Partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Türkiyes do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti”, shkroi kryediplomatja, teksa u shpreh se mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike.
Spiropali theksoi më tej se në cilësinë e tij si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Paqes, ministri Fidan nënvizoi rëndësinë e këtij mekanizmi të sapokrijuar, të iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, "si një instrument i rëndësishëm për promovimin e paqes së qëndrueshme mes sfidave globale gjithnjë e më komplekse".
"Shqipëria është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, e bindur fuqimisht se bashkëpunimi i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ndihmojë në hapjen e një kapitulli të ri në avancimin e paqes ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve", tha ministrja.
Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit u mbajt sot në lstanbul, nën mikpritjen e kryediplomatit të Türkiyes, Hakan Fidan.



















