Përmes një letre drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe komisioneres për zgjerim të BE-së, Marta Kos, një grup eurodeputetësh kanë kërkuar “heqjen e menjëhershme” të të gjitha masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Letrën e shpërndau në rrjetet sociale raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili përkrah letrës tha se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dëmtojnë shoqërinë civile, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, arsimin dhe energjinë dhe jo politikanët.
Letra thekson se masat ndëshkuese që Komisioni Evropian i ka hartuar dhe vendosur ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Sipas letrës, këto masa nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes dhe BE-ja nuk ka arritur asgjë me këto masa, përveç rënies së opinionit publik në Kosovë ndaj BE-së.
“Ndikimi negativ i masave të BE-së në shoqërinë e Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës”, thuhet në letër.
Më tej, theksohet se çdo spekulim që pretendon se heqja e masave mund të shihet si një akt i politizuar nga Komisioni Evropian në dritën e zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme është i pabazë.
Theksohet se viti 2025 ka qenë politikisht jashtëzakonisht i vështirë dhe i trazuar për Kosovën, duke përmendur se që nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt, nuk ka pasur Kuvend funksional apo qeveri funksionale në vend.
Megjithatë, thuhet më tej, “demokracia po funksionon në nivel lokal, siç u konfirmua nga zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të këtij viti”.
“Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes këtyre masave duhet të ndalet duke i hequr ato 100 për qind. Heqja e 50 për qind të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që t’u japë fund menjëherë këtyre masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025”, thekson letra.
Letra drejtuar presidentes von der Leyen dhe komisioneres Kos është nënshkruar nga Terras dhe nga 15 eurodeputetë të tjerë, përfshirë Thomas Weitz, Lukas Mandl, Adnan Dibrani, Tonino Picula, Nathalie Loiseau dhe Davor Ivo Stier.
Të mërkurën, në përmbyllje të Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se pas diskutimeve intensive me partnerët evropianë, është marrë vendimi që të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, zbatim që, siç tha ajo, do të ndodhë në dy faza kryesore, një pjesë e tyre menjëherë dhe një pjesë tjetër në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.























