Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, vuri në dyshim nëse NATO do t’i dilte në krah Uashingtonit nëse vendi do të kishte realisht nevojë për ndihmën e aleancës, pavarësisht angazhimit të tij për të mbështetur vendet anëtare.
“Rusia dhe Kina nuk kanë aspak frikë nga NATO-ja pa ShBA-në dhe unë dyshoj nëse NATO-ja do të ishte aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Ai tha se Uashingtoni do t’i respektojë detyrimet aleate pavarësisht mungesës së reciprocitetit, duke pretenduar se Rusia dhe Kina e “respektojnë” ShBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij.
Trump mori gjithashtu meritën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s nga 2 për qind në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke pohuar se shumica e vendeve nuk i përmbushnin detyrimet e tyre financiare deri në ndërhyrjen e tij.
Ai tha se Amerika “marrëzisht” po i mbulonte shpenzimet e tyre, para se ai t’i detyronte ata të paguanin “menjëherë”.
Në një samit në muajin qershor në Hagë, aleatët e NATO-s ranë dakord që të rrisin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.
Trump gjithashtu kritikoi Norvegjinë, një vend anëtar i NATO-s, për mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqe, duke përsëritur pretendimin e tij se ka përfunduar i “vetëm” tetë luftëra.
“Por, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se unë kam shpëtuar miliona jetë”, shtoi ai.














