| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Sveçla pas vrasjes së policit në Kosovë: Shteti i mobilizuar për arrestimin e dorasit
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se aparati shtetëror i Kosovës është i mobilizuar për arrestimin e dorasit i cili vrau një pjesëtar të Policisë së Kosovës në Kaçanik.
00:00
Sveçla pas vrasjes së policit në Kosovë: Shteti i mobilizuar për arrestimin e dorasit
Sveçla pas vrasjes së policit në Kosovë: Shteti i mobilizuar për arrestimin e dorasit / AA
 

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se aparati shtetëror i Kosovës është i mobilizuar për arrestimin e dorasit i cili vrau një pjesëtar të Policisë së Kosovës në Kaçanik.

Sveçla nëpërmjet rrjeteve sociale tha se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Kosovës.

"Vrasja e mbrëmshme e rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi", ka deklaruar ai.

Sveçla u ka shprehur ngushëllime familjarëve të zyrtarit policor, derisa shtoi se ai shërbeu me guxim dhe vullnet.

"Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar t’i zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje", tha Sveçla duke kujtuar kontributin e rreshterit policor si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.

Policia e Kosovës njoftoi se të martën rreth orës 23:00 të mbrëmjes në hyrje të ndërtesës ku banonte në Kaçanik, u vra zyrtari policor Muhamed Lika.

Sipas Policisë, viktima ishte gjetur i plagosur rëndë më pas u transportua për në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve.

Rrethanat dhe motivet e kësaj vrasjeje ende mbeten të pazbuluara nga autoritetet.

BURIMI:AA