Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se blerja e raketave kineze nga Serbia tregon tendenca hegjemoniste ndaj vendeve fqinje, duke i hedhur poshtë pretendimet e Beogradit se armatosja bëhet për qëllime mbrojtëse.
Në një deklaratë për REL, Maqedonci tha se asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive ndaj saj, përkundrazi, theksoi ai, Beogradi vazhdon të shfaqë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë tash e disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë. Asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, tha Maqedonci.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se vendi ka blerë raketa balistike supersonike kineze të tipit CM-400, të cilat sipas tij janë integruar në aeroplanët luftarakë rusë MiG-29 që Serbia i posedon.
Vuçiq tha se Serbia disponon një numër të konsiderueshëm raketash dhe se planifikon të sigurojë edhe më shumë, duke theksuar se ato janë shumë të kushtueshme, por janë blerë me një zbritje të vogël.
Maqedonci theksoi se Serbia prej vitesh realizon blerje të mëdha ushtarake nga vende joanëtare të NATO-s, kryesisht nga Rusia dhe Kina, përfshirë sisteme kundërajrore, dronë dhe radarë.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, Serbia në periudhën 2020-2024 ka importuar shumicën e armëve apo 57 për qind të tyre nga Kina, pasuar nga Rusia me 20 për qind dhe Franca me 7,4 për qind.
Ndërkohë, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se çështja e armatosjes së Serbisë do të diskutohet me aleancën e NATO-s, ndërsa Vuçiq u përgjigj se Zagrebi nuk mund të vendosë për armatimin e Serbisë dhe akuzoi për krijimin e aleancës mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.


















