| Albanian
SOCIALE
3 minuta leximi
Roveri i NASA-s kap prova të paprecedenta të rrufeve në planetin Mars
Perseverance ka kapur tingullin e “goditjeve” të vogla elektrike brenda stuhive të pluhurit në Mars, duke ofruar provën e parë të drejtpërdrejtë të rrufeve në planetin e kuq.
Roveri i NASA-s kap prova të paprecedenta të rrufeve në planetin Mars
Roveri i NASA-s kap prova të paprecedenta të rrufeve në Mars / Reuters
28 Nëntor 2025

Një rover i NASA-s ka regjistruar për herë të parë prova të rrufeve në Mars, pasi mikrofoni i tij kapi tingujt e “goditjeve” të vogla të krijuar nga stuhitë e pluhurit që përshkojnë vazhdimisht planetin.

Shkencëtarët prej kohësh kanë debatuar nëse shkarkimet elektrike mund të shfaqeshin në klimën e pluhurosur dhe ende të panjohur të Marsit, por provat kanë qenë të vështira për t’u siguruar.

Rezulton se roveri Perseverance i NASA-s, i cili ka përshkuar planetin e kuq që nga viti 2021, kishte regjistruar pa qëllim tingullin e rrufesë, sipas një studimi të botuar këtë javë në revistën Nature.

Këto nuk janë aspak rrufetë e gjata me kilometra, si ato që shohim në Tokë.

Në vend të tyre, bëhet fjalë për “goditje të vogla”, të ngjashme me “ato që mund të ndieni në mot të thatë kur prekni derën e makinës dhe krijohet një shkarkim i vogël statik”, tha për AFP autori kryesor Baptiste Chide nga qendra kërkimore franceze CNRS.

Edhe pse me energji të ulët, këto shkarkime po ndodhin “absolutisht gjatë gjithë kohës dhe kudo” në Mars, tha shkencëtari planetar.

Procesi nis kur kokrrat mikroskopike të pluhurit fërkohen mes tyre. Ato ngarkohen me elektrone dhe e çlirojnë energjinë në harkime elektrike disa centimetra, madje edhe milimetra, të gjata, duke krijuar një valë goditëse të dëgjueshme.

Në Tokë, stuhitë e pluhurit dhe vorbullat e pluhurit në zonat shkretinore gjithashtu krijojnë fusha elektrike. Por rrallëherë ato kthehen në shkarkime të plota elektrike.

Megjithatë, në Mars, “për shkak të presionit shumë të ulët dhe përbërjes së atmosferës, sasia e ngarkesës që duhet të grumbullohet për të gjeneruar një shkarkim është shumë më e vogël”, shpjegoi Chide.

Ky fenomen është parë që nga fillimet e eksplorimit të Marsit dhe është riprodhuar edhe në laborator.

Chide tha se ka qenë “një çështje aq e rëndësishme për shkencën marsiane” sa një instrument në ulësen Schiaparelli të Agjencisë Hapësinore Evropiane ishte dedikuar kërkimit të tij.

Fatkeqësisht, anija kozmike u rrëzua gjatë uljes në Mars në vitin 2016.

Që atëherë, “kjo fushë ishte disi lënë pas dore në eksplorimin marsian”, tha Chide.

Kjo, derisa “rastësisht”, mikrofoni i SuperCam të Perseverance regjistroi sinjale që dukeshin si shkarkime elektrike, shtoi ai.

Daniel Mitchard, ekspert i rrufesë në Universitetin e Cardiffit, që nuk ishte pjesë e studimit, komentoi në Nature se kërkimi ofron “prova bindëse të shkarkimeve të induktuara nga pluhuri”.

Por, meqenëse shkarkimet “vetëm janë dëgjuar dhe jo parë”, ai pret që debati mes shkencëtarëve “të vazhdojë për një kohë të gjatë”.

Kërkimi mund të ndihmojë për të hedhur dritë mbi klimën misterioze të Marsit.

Astronautë të elektrizuar?

“Pluhuri e drejton klimën marsiane”, ashtu si cikli i ujit në Tokë, tha Chide. Për shembull, një sezon stuhish pluhuri do të nisë drejt fundit të vitit.

Shkarkimet elektrike mund të nisin gjithashtu një proces që shkatërron molekulat organike në sipërfaqen e Marsit.

Ato mund të shpjegojnë edhe zhdukjen e shpejtë dhe të çuditshme të metanit në planet, një fenomen që ka hutuar shkencëtarët.

Fenomeni mund të ketë ndikime edhe për misionet e ardhshme në Mars.

Tani shkencëtarët do të jenë në gjendje të projektojnë instrumente më të mira për të mbrojtur robotët e ardhshëm që dërgohen në Mars, tha Chide.

Dhe natyrisht, ekzistojnë edhe plane që njerëzit të shkelin më në fund në sipërfaqen e kuqe të planetit.

“Në planin afatgjatë, a nuk ekziston rreziku që kostumet e astronautëve që qëndrojnë për periudha të gjata në sipërfaqen e Marsit të dëmtohen nga këto shkarkime?”, pyeti Chide.

“Do të duhet t’i bëjmë vetes këtë pyetje”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë