| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye në OKB: “Krahasimet selektive” për Ukrainën nuk i shërbejnë paqes
“Kjo luftë e zgjatur ka pasoja të thella për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, paralajmëron përfaqësuesi i Türkiyes në OKB, Ahmet Yıldız.
Türkiye në OKB: “Krahasimet selektive” për Ukrainën nuk i shërbejnë paqes
Türkiye në OKB: “Krahasimet selektive” për Ukrainën nuk i shërbejnë paqes / Reuters
21 orë më parë

Përfaqësuesi i Türkiyes në OKB, Ahmet Yıldız paralajmëroi të martën se krahasimet “mashtruese” me konflikte të tjera rrezikojnë të minojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të fokusohet te diplomacia dhe një paqe e drejtë e e qëndrueshme.

“Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të pestë, humbjet njerëzore, shkatërrimi dhe pasojat humanitare për civilët vazhdojnë të rriten çdo ditë”, tha Ahmet Yıldız në një seancë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, duke shtuar se “ky konflikt i zgjatur ka pasoja të thella për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Është koha t’i jepet fund dhe zgjidhja përfundimtare qëndron te diplomacia”.

Duke riafirmuar qëndrimin e Ankarasë, ai tha: “Ndërsa vazhdon të mbështesë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, Türkiye ka mbrojtur vazhdimisht një zgjidhje të negociuar. Që në fillimet e konfliktit, Türkiye ka marrë një rol udhëheqës në përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

“Në ndjekje të këtij objektivi, ne kemi mbajtur kontakte të ngushta si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë për të zhvilluar rrugë drejt një zgjidhjeje diplomatike”, shtoi ai.

Duke theksuar përpjekjet ndërmjetësuese të Türkiyes, Yıldız përmendi bisedimet e zhvilluara në Antalya dhe Istanbul në fazat e hershme të luftës.

“Vitin e kaluar, Türkiye priti tri raunde bisedimesh teknike të drejtpërdrejta mes palëve ndërluftuese në Istanbul. Bisedimet e Istanbulit shërbyen si gurthemel për ndërtimin e besimit, duke mundësuar procesin për çështje humanitare dhe duke e bërë dialogun të mundur”, tha ai.

Duke mirëpritur angazhimin e ripërtërirë, Yıldız deklaroi: “Ne e mirëpresim rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe përpjekjet e fundit të udhëhequra nga ShBA-ja për të nxitur diplomacinë dhe për t’i dhënë fund luftës. Ky momentum i ri diplomatik ka rritur shpresat për një zgjidhje të negociuar”.

“Megjithatë, çështje të rëndësishme mbeten ende të pazgjidhura. Vetëm me një angazhim të fortë për një zgjidhje paqësore dhe me kuptimin se në paqe nuk ka humbës, mund të arrihet një zgjidhje e negociuar”, shtoi ai.

Duke shprehur shpresën që përpjekjet diplomatike të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë, Yıldız tha: “Dëshiroj të shpreh shpresën time të sinqertë që viti i ardhshëm të mos shënojë një tjetër vit lufte, por një përvjetor të paqes”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë