| Albanian
SOCIALE
3 minuta leximi
OBSh-ja: Tuberkulozi vret 1,2 milion njerëz çdo vit, rënia e fondeve rrezikon rritjen e viktimave
Sipas Raportit Global të Tuberkulozit 2025 të OBSh-së, derisa rastet dhe vdekjet në nivel botëror vazhdojnë të bien, financimi i dobësuar dhe qasja e pabarabartë në kujdes rrezikojnë të rrisin ndjeshëm numrin e viktimave nga tuberkulozi.
OBSh-ja: Tuberkulozi vret 1,2 milion njerëz çdo vit, rënia e fondeve rrezikon rritjen e viktimave
OBSh-ja: Tuberkulozi vret 1,2 milion njerëz çdo vit, rënia e fondeve rrezikon rritjen e viktimave / Reuters
12 Nëntor 2025

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka deklaruar se tuberkulozi mbetet “një nga vrasësit infektivë më të rrezikshëm në botë,” duke marrë më shumë se 1,2 milionë jetë dhe duke prekur rreth 10.7 milionë njerëz vitin e kaluar.

Sipas Raportit Global të Tuberkulozit 2025 të OBSh-së, derisa rastet dhe vdekjet në nivel botëror vazhdojnë të bien, financimi i dobësuar dhe qasja e pabarabartë në kujdes rrezikojnë të prishin përparimin shumëvjeçar.

“Rënia e barrës globale të tuberkulozit dhe përparimi në testim, trajtim, mbrojtje sociale dhe kërkim shkencor janë lajme të mirëpritura pas viteve të pengesave, por përparimi nuk është fitore”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në raport. 

“Fakti që tuberkulozi vazhdon të marrë mbi 1 milion jetë çdo vit, megjithëse është e parandalueshme dhe e shërueshme, është thjesht e papranueshme”, shtoi ai.

Midis viteve 2023 dhe 2024, infeksionet me tuberkuloz ranë me gati 2 për qind, ndërsa vdekjet u ulën me 3 për qind, duke reflektuar rikuperimin e shërbimeve thelbësore shëndetësore pas pandemisë COVID-19.

Rajoni afrikan arriti një ulje prej 28 për qind në incidencën e tuberkulozit dhe një reduktim prej 46 për qind në vdekje që nga viti 2015, ndërsa rajoni evropian shënoi edhe më shumë përmirësime me një rënie prej 39 për qind në incidencë dhe 49 për qind në vdekje.

Gjatë të njëjtës periudhë, raporti tha se mbi 100 vende arritën të ulin me të paktën 20 për qind shkallën e incidencës së tuberkulozit, ndërsa 65 vende arritën ulje prej 35 për qind ose më shumë në vdekjet e lidhura me tuberkulozin.

Megjithatë, siç thuhet në raport, 87 për qind e rasteve të reja të tuberkulozi në vitin 2024 mbeten të përqendruara në 30 vende, tetë prej të cilave, përfshirë Indinë, Indonezinë dhe Filipinet, përbëjnë mbi dy të tretat e rasteve globale.

Shkurtime në ndihma mund të shkaktojnë miliona vdekje

Në vitin 2024, raporti gjeti se 8,3 milionë njerëz u diagnostikuan rishtazi me tuberkuloz dhe morën trajtim, që përfaqëson rreth 78 për qind të njerëzve që u sëmurën gjatë atij viti. 

Mbulesa e testimeve të shpejta për diagnostikimin e tuberkulozit u rrit nga 48 për qind në vitin 2023 në 54 përqind në vitin 2024.

Sipas raportit, financimi mbetet pengesa më e madhe. OBSH tha se vetëm 5.9 miliardë dollarë ishin në dispozicion për parandalim, diagnostikim dhe trajtim në vitin 2024, që është vetëm një e katërta e objektivit vjetor prej 22 miliardë dollarësh të vendosur për vitin 2027.

Modelet parashikojnë se shkurtime afatgjata në ndihmën ndërkombëtare mund të çojnë në 2 milionë vdekje shtesë dhe 10 milionë infeksione të reja deri në vitin 2035.

Drejtoresha e Departamentit të OBSH-së për tuberkulozin, Tereza Kasaeva, tha se ndodhemi në “një moment përcaktues” në luftën kundër turberkulozit.

“Shkurtime të financimit dhe faktorët e qëndrueshëm të epidemisë rrezikojnë ta zhbëjnë përparimin e arritur me mund, por me angazhim politik dhe solidaritet global, mund ta ndryshojmë drejtimin dhe ta përfundojmë këtë vrasës të lashtë njëherë e përgjithmonë”, tha ajo.

OBSh-ja bëri thirrje për angazhim politik të qëndrueshëm, rritje të investimeve vendore dhe intensifikim të kërkimeve për të përshpejtuar përparimin.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë