Qytetarët në 18 komuna në Kosovë po votojnë këtë të diel për t’i zgjedhur kryetarët e tyre për katër vitet e ardhshme.
Derisa procesi zgjedhor po rrjedh normalisht, Komisioni Qendror Zgjedhor ka dalë me rezultatet mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e sotme.
"Deri në ora 15:00 është 273 mijë e 666 votues apo 20.78 për qind. Në raundin e parë në këto 18 komuna kishin votuar 25.33 për qind...”, tha në një konferencë për media, kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi.
Radoniqi ka sqaruar se krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, dalja është më e ulët.
Ai foli edhe për rastet e ankesave për personat me aftësi të kufizuar gjatë procesit të votimit.
“Votimi me asistencë për persona të kufizuar, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin është i garantuar me Ligjin për zgjedhjet me rregullore të KQZ-së. Sipas rregullores së KQZ-së, me qëllim të mënjanimit të keqpërdorimit është përdorur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës”, ka thënë Radoniqi.
Numri i votuesve brenda Kosovës në këto komuna është mbi 1.3 milionë, ndërsa mbi 29 mijë qytetarë kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës nga jashtë vendit deri më 8 nëntor.
Në zgjedhje po garojnë shtatë subjekte politike të certifikuara.
Votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00, pas së cilës do të nisë numërimi i votave në qendrat e caktuara nga KQZ.
Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen gjatë mbrëmjes.























