| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, Haxhiu e cilëson jokushtetues dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte një befasi dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Kosovë, Haxhiu e cilëson jokushtetues dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit
Kosovë, Haxhiu e cilëson jokushtetues dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit / AA
13 orë më parë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi sot se vendimi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është i ngutshëm dhe jokushtetues, duke paralajmëruar se do ta kundërshtojë atë në institucionet përkatëse.

Haxhiu tha se vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte një befasi dhe, sipas saj, nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit. "Vendimi i presidentes për ta shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit", tha Haxhiu.

Ajo theksoi se askush nga deputetët nuk duhet t'i gëzohet një vendimi të tillë, duke shtuar se shpërndarja e Kuvendit, sipas saj, përbën minim të punës së institucionit ligjvënës.

Haxhiu u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të mos ushtrojnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se kjo e fundit duhet të lejohet të marrë vendim në mënyrë të pavarur.

"Thërras të gjithë që ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj, sepse jam e bindur që në rrethana të tilla Gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo", u shpreh ajo.

Sipas Haxhiut, gjatë ditës së sotme Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që lidhet me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo tha se pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi duke marrë fillimisht një masë të përkohshme për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Haxhiu shtoi se në rast se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mbetet në fuqi, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën, por theksoi se situata mund të ndryshojë nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme deri në shqyrtimin e rastit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë