Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes janë të shkëlqyera dhe të qëndrueshme.
Përfaqësia për Shqipërinë e Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MÜSİAD Albania) organizoi një darkë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe turke dhe përfaqësuesve të bizneseve, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Begaj.
Gjatë fjalës së tij, Begaj theksoi se vlerëson kontributin e MÜSİAD-it në afrimin e bizneseve, në shkëmbimin e eksperiencës, në promovimin e mundësive të investimeve dhe në forcimin e dialogut ekonomik Shqipëri–Türkiye.
"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes janë të shkëlqyera dhe të qëndrueshme, të mbështetura në miqësi historike, në bashkëpunim strategjik dhe në interesa të përbashkëta për siguri, stabilitet dhe progres. Partneriteti ekonomik është një ndër shtyllat kryesore të kësaj marrëdhënieje dhe vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe të interesit të investimeve nga të dyja vendet. Kjo është dëshmi e qartë e besimit dhe e perspektivës së përbashkët që dy vendet tona ndajmë", tha Begaj.
Begaj shtoi se Forumi i Investimeve Shqipëri-Türkiye, i mbajtur në tetor me praninë e zëvendëspresidentit të Türkiyes, tregoi potencial real për kthimin e nismave në projekte konkrete me ndikim të ndërsjellë.
Kryetari i MÜSİAD Albania, Muhammet Isler, u shpreh se u kanë dhënë një shtysë të re marrëdhënieve tregtare Türkiye–Shqipëri, kanë rritur volumin e investimeve të anëtarëve, kanë intensifikuar takimet sektoriale dhe kontaktet diplomatike dhe kanë forcuar më tej praninë e investitorëve turq në Shqipëri.
"Gjatë këtij viti realizuam me sukses të plotë me një vizion të fuqishëm dhe pjesëmarrje të lartë Forumin e Biznesit Shqipëri–Türkiye, të nisur nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Patëm nderin të organizojmë një forum me përmasa, përmbajtje dhe ndikim të paprecedentë, me karakter historik për botën e biznesit të të dyja vendeve me praninë e zëvendëspresidentit të Republikës së Türkiyes, Cevdet Yilmaz", tha Isler.
Isler tha se si rezultat i punës së tyre, sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shqiptare, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, Türkiye është renditur në vendin e parë për sa u përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe shtoi se numri i kompanive turke që operojnë sot në Shqipëri i afrohet shifrës 1.000, duke siguruar punësim për mbi 15.000 persona.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe drejtues të institucioneve turke në Shqipëri, të shoqatave të biznesit dhe të organizatave të ndryshme.





















