Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me anë të një videomesazhi vlerësoi progresin e futbollit shqiptar në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”.
Ai përgëzoi Kombëtaren për kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Kupës së Botës FIFA 2026, si dhe organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Presidenti Infantino përgëzoi FShF-në për investimet në infrastrukturë, “Shtëpinë e Futbollit” dhe rritjen e numrit të futbollistëve, duke uruar Presidentin Armand Duka, stafin dhe fituesit e mbrëmjes për kontributin e tyre në futbollin shqiptar.
“Kishte shumë gjëra për t’u duartrokitur gjatë vitit 2025. Pas paraqitjes impresionuese në EURO 2024, ekipi juaj kombëtar i meshkujve u rendit i dyti në grupin sfidues të Kupës së Botës FIFA 2026 dhe me meritë siguroi një vend në play-off.
Vetëm dy fitore larg skenës më të madhe të futbollit! Ndërkohë, organizimi juaj i suksesshëm i Kampionatit Evropian U-17 Shqipëri 2025 tërhoqi vlerësime të larta dhe shumë spektatorë.
Ishte edicioni më i ndjekur që nga viti 2008, dhe tërhoqi mbi 10.000 tifozë në finalen e luajtur në ‘Arenën Kombëtare’ spektakolare në Tiranë,” thuhet ndër të tjera në mesazhin e presidentit të FIFA-s.























