Mali i Zi ka mbyllur pesë kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çka përfaqëson një nga hapat më të rëndësishëm të vendit në rrugën e tij evropiane.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, deklaroi se nga Brukseli po vijnë lajme jashtëzakonisht pozitive dhe se mbyllja e pesë kapitujve është një sukses i madh për shtetin dhe një sinjal i qartë se qëllimi i përfundimit të plotë të negociatave është i arritshëm.
“Jemi shumë të lumtur për rezultatet që kemi arritur. Mbyllja e pesë kapitujve është një lajm i madh për Malin e Zi dhe aspiratat e tij evropiane, por edhe një konfirmim se është reale të mbyllen të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2026”, tha Spajiq.
Në konferencën për media, në emër të presidencës së Bashkimit Evropian, ministrja daneze për çështjet evropiane, Marie Bjerre, sqaroi se janë mbyllur kapitujt:
3 – E drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe liria e ofrimit të shërbimeve,
4 – Liria e lëvizjes së kapitalit,
6 – E drejta e shoqërive tregtare,
11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural,
13 – Peshkimi.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për një hap të madh përpara në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe BE-së, duke vlerësuar përkushtimin politik dhe progresin e arritur.
Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Mali i Zi kurrë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian, duke e cilësuar mbylljen e kapitujve si një shenjë të qartë të përparimit të madh. Ajo theksoi se viti i ardhshëm do të jetë kyç dhe vendimtar, por paralajmëroi se përpara Malit të Zi ka ende shumë punë, veçanërisht në fushën e forcimit të sundimit të ligjit.
“BE-ja do ta mbështesë Malin e Zi në çdo hap deri në anëtarësimin e plotë”, theksoi Kos.
Kryeministri Spajiq shtoi se Mali i Zi deri tani ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve negociues, gjë që e bën kandidatin më të avancuar në 16 vitet e fundit. Ai falënderoi shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht Francën, për mbështetjen dhe këmbënguljen në standarde të larta, duke theksuar se Mali i Zi po tregon seriozitet dhe pjekuri në procesin e integrimeve.
Mali i Zi i filloi negociatat për anëtarësim në BE më 29 qershor 2012 dhe deri më tani ka hapur të gjithë 33 kapitujt. Qëllimi i Qeverisë është të mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur, në mënyrë që vendi të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2028.
Pas konferencës së sotme, Mali i Zi mund të hyjë në vitin e ardhshëm, potencialisht vendimtar, me gjithsej 12 kapituj të mbyllur, me ambicien që deri në fund të vitit 2026 ky numër të kalojë 20 dhe të krijohen të gjitha kushtet për përfundimin e procesit të anëtarësimit.
Mali i Zi i ka përmbushur të gjitha kushtet edhe për mbylljen e Kapitullit 31 (politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes), por më herët vendimi për këtë është shtyrë, pasi këtë e kishte kërkuar Kroacia.





















