Presidenti i shtetit francez, Emmanuel Macron deklaroi se vendi i tij është gjithmonë me Libanin.
"Ne kemi qenë gjithmonë në anën e Libanit dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë", tha Macron në një deklaratë për Libanin për mediat franceze në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB).
Ai u shpreh se takimi që do të mbahet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të diskutuar mbi zhvillimet në Liban është shumë i rëndësishëm.
Macron theksoi se e mbështet këtë takim duke patur parasysh situatën në rajon.
558 njerëz të vrarë në Liban nga sulmet izraelite
Ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit, si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek, që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit.
Ministria e Shëndetësisë së Libanit njoftoi se 558 persona, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra u vranë dhe 1.835 të tjerë u plagosën në sulmet e Izraelit.
Vala e migrimit vazhdon nga rajonet jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut.
Ministria libaneze e Arsimit njoftoi se mësimi është pezulluar në të gjithë vendin ndërsa Ministria e Brendshme tha se shkollat në jug të vendit u hapën për të akomoduar qytetarët e zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite.























