| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Bislimi: BE-ja ka hequr shumicën e masave ndaj Kosovës
Zëvendëskryeministri Bislimi njoftoi se gjatë ditës së sotme ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, në të cilën konfirmohet vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e masave.
Bislimi: BE-ja ka hequr shumicën e masave ndaj Kosovës
Bislimi: BE-ja ka hequr shumicën e masave ndaj Kosovës / AA
10 orë më parë

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur ta heqë shumicën e masave ndaj Kosovës, të lidhura me projektet e programeve IPA.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bislimi njoftoi se gjatë ditës së sotme ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, në të cilën konfirmohet vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e këtyre masave, në vlerë prej 34,6 milionë eurosh.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë insistuar në heqjen e masave dhe e ka mirëpritur këtë hap nga ana e BE-së, duke vlerësuar se procesi duhet të vazhdojë sa më shpejt me heqjen e plotë të tyre.

“Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e masave të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas tij, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe avancimit të mëtejmë të procesit të integrimit evropian të Kosovës.

BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që e përshkallëzoi situatën për disa javë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë