ShBA-ja e ka pezulluar pjesërisht vendosjen e sanksioneve të Aktit Caesar ndaj Sirisë për 180 ditë, njoftoi sot Departamenti i Thesarit.
Pezullimi zëvendëson një përjashtim të dhënë më 23 maj, i cili gjithashtu siguroi një përjashtim 180-ditor nga sanksionet e detyrueshme të Aktit Caesar, dhe përfaqëson “angazhimin tonë për vazhdimin e lehtësimit të sanksioneve për Sirinë”, thuhet në një njoftim nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Thesarit.
Ky vendim u bë njëkohësisht me vizitën historike të presidentit sirian Ahmad al-Sharaa në Uashington.
Sipas njoftimit, pezullimi ndalon vendosjen e sanksioneve të Aktit Caesar, përveç disa transaksioneve që e përfshijnë qeverinë e Rusisë dhe atë të Iranit, ose transferimet e mallrave, teknologjisë, softuerit, fondeve, financimeve ose shërbimeve me origjinë ruse ose iraniane.
Akti Caesar për Mbrojtjen Civile në Siri i vitit 2019 ka qenë një element qendror i politikës së ShBA-së për të ushtruar presion mbi regjimin e mëparshëm sirian të Bashar Asadit, i cili u rrëzua në dhjetor të kaluar. Sanksionet bllokojnë investimet ndërkombëtare dhe transaksionet ekonomike që lidhen me qeverinë siriane dhe të lidhurit e saj.



















