Sot në Shkup u mbajt ceremoni inaugurimi për projektin e rinovimit dhe pajisjes së klasave mësimore në Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimit dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”, të zbatuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Programi i inaugurimit të projektit u mbajt me pjesëmarrjen e kryetarit të TIKA-s, Abdullah Eren, Sekretarit të Parë të Ambasadës dhe Zëvendësshefit të Misionit Anıl Kayalar, drejtuesve të shkollës dhe nxënësve.
Në fjalën e tij, Eren tha se “deri më sot, TIKA ka realizuar më shumë se 1.300 projekte në Maqedoninë e Veriut”.
“Prej tyre, mbi 460 janë projekte arsimore. Përmes këtyre projekteve arsimore kemi kontribuuar për më shumë se 146.000 nxënës”, tha ai.
Duke theksuar se TIKA vepron në Maqedoninë e Veriut prej 20 vitesh, Eren nënvizoi se gjatë kësaj periudhe janë rinovuar dhe pajisur 34 shkolla, ndërsa 14 shkolla janë ndërtuar nga e para.
“Jemi krenarë që në këto 20 vjet kemi realizuar 1.300 projekte. Aktualisht po zbatojmë këtu një projekt të rëndësishëm për nxënësit e shkollës së mesme që mësojnë arkitekturë dhe ndërtim. Kemi pajisur dy klasa të projektimit arkitektonik. Gjithashtu, i kemi dhuruar shkollës 45 kompjuterë, të pajisur me aplikacione që do të përdoren posaçërisht nga nxënësit e këtyre profileve”, tha Eren.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme Profesionale të Ndërtimit dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”, Jasminka Bosheva, falënderoi për mundësitë e krijuara për nxënësit falë punimeve të realizuara muajt e fundit.
“Na keni dhënë një drejtim ose një plan veprimi se si duhet të duket një klasë moderne. Nxënësit tanë mezi kanë pritur hapjen e klasave”, tha Bosheva.
“Türkiye është mike dhe partnere strategjike e Maqedonisë së Veriut”
Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e 20-vjetorit të themelimit të zyrës së TIKA-s në Shkup dhe 21 Dhjetorit - Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, u prit në zyrën presidenciale nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Siljanovska-Davkova falënderoi TIKA-n për kontributin e saj shumëvjeçar në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se projektet e realizuara kanë dhënë mbështetje të rëndësishme në forcimin e infrastrukturës arsimore, shëndetësore dhe kulturore.
Ajo vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy popujve bazohen në respekt të ndërsjellë, miqësi dhe vlera të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e projekteve sociale që vendosin në plan të parë përfitimin shoqëror, si dhe të punës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Duke e cilësuar Türkiyen si mike dhe partnere strategjike të Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova theksoi se Türkiye ka qenë pranë vendit të saj nga e kaluara deri më sot.
Presidentja përgëzoi Erenin për detyrën e tij, i uroi suksese në periudhën e re dhe shprehu dëshirën që bashkëpunimi i frytshëm mes dy vendeve të vazhdojë në të gjitha fushat me përfitim të ndërsjellë.
Nga ana e tij, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, shprehu kënaqësinë që ndodhet në Shkup, ku lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore janë ruajtur prej shekujsh, duke theksuar se bashkëpunimi i orientuar drejt zhvillimit mes dy vendeve trajtohet në kuadër të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe vizionit për një të ardhme të përbashkët.
Eren gjithashtu u takua me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, ministrin e Kulturës dhe të Turizmit Zoran Lutkov, si dhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski.






















