“Aktualisht, ideja e filmit dhe diplomacisë si dy njësi është shumë e ndryshme. Njerëzit mendojnë se filmi është vetëm për argëtim, dramë, komedi apo romancë, ndërsa diplomacia lidhet vetëm me politikën ose marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha për gazetarët Raheel Ahmad, themelues i Film Diplomacy.
“Ajo që po përpiqemi ta bëjmë këtu është t’i lidhim këto dy fusha me një vizion të vetëm, që është ndërtimi i diplomatëve përmes lentes,” shtoi Ahmad.
Ai theksoi se organizata ka bashkëpunuar me Zyrën e Rinisë të OKB-së, me 67 organizata të ndryshme në mbarë botën, si dhe me partnerë, përfshirë aktorë, aktore dhe diplomatë që e mbështesin nismën.
Ahmad tha se qëllimi kryesor i konferencës është “ta rrisë ndërgjegjësimin për konfliktet që po ndodhin në mbarë botën”, përfshirë ato në Palestinë dhe Sudan.
Ngjarja ndërkombëtare triditore mbledh pjesëmarrës nga e gjithë bota për të ndërthurur fuqinë e kinemasë me parimet e diplomacisë.
E zhvilluar nën temën “Ndërtimi i diplomatëve përmes lentës”, konferenca përfshin një ditë trajnimi të udhëhequr nga diplomatë, zyrtarë, kineastë, agjenci mediatike, trajnerë të qëndrueshmërisë dhe ekspertë ndërkulturorë; një sfidë filmike 24-orëshe ku ekipet prodhojnë filma të shkurtër mbi paqen dhe bashkëpunimin global; si dhe një ditë çmimesh dhe shfaqjesh, të vlerësuara nga diplomatë, regjisorë dhe figura të medias.






















