Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është takuar me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq, në kuadër të Procesit të Bërdo–Brionit, që po mbahet në Ohër.
Siç njofton Zyra e Presidentes, gjatë këtij takimi Shiroka-Pula diskutoi me homologun kroat për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Presidentja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe se ky hap do të kontribuonte në sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm të gjithë rajonit.
Shiroka-Pula e vlerësoi marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të nënshkruar më 18 mars 2025, si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë.
Më tej, presidentja kosovare e theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për investime.
Presidentja Shiroka-Pula e vlerësoi rolin e Kroacisë në themelimin dhe zhvillimin e Procesit të Bërdo-Brionit, si dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.















