| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kritikohet takimi i KFOR-it me përfaqësuesit e ushtrisë serbe në Prishtinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci e ka konsideruar këtë takim si politikisht të papërshtatshëm dhe të pandjeshëm
Kritikohet takimi i KFOR-it me përfaqësuesit e ushtrisë serbe në Prishtinë
Kritikohet takimi i KFOR-it me përfaqësuesit e ushtrisë serbe në Prishtinë/ Foto: KFOR / َAA
 

Takimi ndërmjet përfaqësuesve të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe përfaqësuesve të ushtrisë së Serbisë një ditë më parë në Prishtinë është kritikuar nga deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, njëherësh kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci e ka konsideruar këtë takim si politikisht të papërshtatshëm dhe të pandjeshëm.

Ai shkroi në rrjetet sociale se Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime që janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj, duke shtuar se mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk duhet të paraqiten sikur përcaktojnë pozitën politike të Kosovës apo sikur institucionet e saj të mos jenë pjesë e çështjeve të sigurisë.

"Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e 'respektit të ndërsjellë', pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm", u shpreh Bajqinovci.

Sipas tij, kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në kohën kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe, përfshirë këtu edhe rastet e varrezave masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe.

Deputeti Bajqinovci tha se këto çështje nuk janë pjesë e një të kaluare të largët për familjet e viktimave dhe qytetarët e Kosovës, derisa kërkoi nga KFOR-i që të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Kosovës.

"Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj", tha ai.

KFOR-i dje ka njoftuar për një takim midis Përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin (JIC) të misionit të KFOR-it me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS) në Kampin “Film City” në Prishtinë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë