Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë.
Në Tiranë u mbajt sot Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë në përfundim, kryeministri Rama dhe komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Kryeministri Rama theksoi se katër ishin drejtimet e diskutimit të brendshëm në samit, si reformat që sipas tij forcojnë sundimin e ligjit, integrimi hap pas hapi në tregun e vetëm evropian, investimet dhe inovacioni dhe korridoret e transportit, interkoneksionet energjetike dhe rrjetet digjitale.
"Kanë qenë 48 orë të mbushura me Evropë për Ballkanin Perëndimor, nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek Konferenca e Investimeve BE - Ballkani Perëndimor, në edicionin e saj të dytë në Tiranë, dhe sot Samiti i Planit të ri të Rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri. Dhe siç e konfirmoi edhe komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15 për qind plus shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera", tha Rama.
Duke folur për procesin e integrimit evropian të vendit, Rama tha se "Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi 2027-ën. Komisionerja thotë që e dëgjuat edhe dje 2027 do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin (Evropian). Për ne po ashtu, ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet se nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër. E sigurtë është që ne nuk do të lëmë asgjë mangut nga ana jonë, duke i plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi".
"Çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian, është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë", tha Rama.
Kos: Ballkani Perëndimor, një rajon i rëndësishëm për Bashkimin Evropian
Në fjalën e saj Kos e konsideroi Ballkanin Perëndimor një rajon të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe shtoi se është në interesin e tyre që ta integrojmë këtë rajon në Bashkimin Evropian.
"Ne bëmë një bilanc të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Dhe ajo që shohim është që zgjerimi është në lëvizje, por gjithashtu shohim që bashkë me të në lëvizje është edhe Ballkani Perëndimor. Ajo që ne shohim është se ideja e një rajoni të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit po zbehet disi në një mënyrë të natyrshme", tha ajo.
Komisonerja Kos u shpreh se financimi i BE-së do të kushtëzohet nga rezultatet në zbatimin e reformave.
Duke folur për avancimin e procesit të integrimit dhe reformave sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor, ajo: "Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave sivjet, shpresojmë. Shqipëria mund të arrijë të njëjtën gjë vitin tjetër. Komisioni Evropian po përfundon vlerësimin e vet. Mali i Zi ka zbatuar 94 për qind të reformave dhe së shpejti do të përfitojë 81 milionë euro në kuadër të këstit të ardhshëm të pagesave. Shqipëria ka zbatuar 80 për qind të reformave dhe do të përfitojë 185,6 milionë euro. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56 për qind dhe do të përfitojë 70,9 milionë euro".
Kos u shpreh se në Serbi shohin tashmë një fillim të ri dhe në Kosovë ka stabilitet politik, dhe sipas saj ka gjithashtu edhe një mundësi për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën. Kos tha se ajo ka folur edhe për qasjen e re të Komisionit Evropian "për ta zgjeruar integrimin gradual që mund ta afrojë çdo vend kandidat drejt BE-së edhe përpara vetë anëtarësimit, por që nuk është zëvendësim i anëtarësimit".
"Dhe fola më herët për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në atë kuptimin më të gjerë të ndërlidhjes, pra të lidhjeve të transportit që lidhin Bashkimin Evropian me Azinë Qendrore. Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e këtyre rrugëve të reja tregtare që lidhin Bashkimin Evropian me Türkiyen e më tej në lindje me Azinë Qendrore", u shpreh Kos.
Në samit, përveç komisoneres Kos dhe kryeministrit Rama, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, nënkryetari i Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Adem Mavriq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Josip Bërkiq dhe zëvendëskryeministëri për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq.















